Ballina Bota

FOKUS – Azerbajxhani dhe Armenia në prag të luftës

JEREVAN, 27 shtator /ATSH-AFP/ – Armenia dhe Azerbajxhani ndodhen në prag të luftës, ndërsa përleshje vdekjeprurëse kanë shpërthyer midis forcave azere dhe rajonit të shkëputur të Karabagut, i mbështetur nga Jerevani.

Një konflikt i madh, që përfshin Azerbajxhanin dhe Armeninë, mund të çojë në ndërhyrjen e fuqive konkurruese, Rusisë dhe Turqisë, në rajonin e Kaukazit.

Konflikti përreth Karabakut, i cili u nda nga Azerbajxhani me mbështetjen armene, ka nxitur tensionet rajonale prej 30 vjetësh tashmë.

Pas njoftimit të luftimeve të para të dielën në mëngjes, kryeministri armen, Nikoll Pachinian dekretoi mobilizimin e përgjithshëm dhe krijimin e ligjit ushtarak, siç bënë edhe autoritetet në Karabag.

“Le të mbështesim me vendosmëri shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe ne do të fitojmë. Rroftë ushtria e lavdishme armene”, shkroi ai në Facebook.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev, gjithashtu, premtoi fitore.

“Ushtria azere po lufton sot në territorin e saj, po mbron integritetin e saj territorial, po i jep goditje shkatërruese armikut. Kauza jonë është e drejtë dhe ne do të fitojmë”, tha ai në një fjalim në televizion.

Nga ana e saj, Moska bëri thirrje sot në mëngjes për një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime, ndërsa të dy kampet po hedhin poshtë përgjegjësinë për armiqësitë./ /ervo

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Senatorët ftojnë Netflix të ndalojë serialet e planifikuara kineze
Artikulli tjetërMisioni i rradhës në Venus ndoshta… privat?