LIBAN – Dështojnë përpjekjet për formimin e qeverisë së re

BEJRUT,  26 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri i caktuar libanez, Mustafa Adib, i cili mori detyrën për të ndihmuar vendin të rimëkëmbet nga shpërthimi shkatërrues i gushtit në Bejrut, njoftoi sot tërheqjen e tij pa formuar një qeveri të re, duke përmendur konfliktet politike.

Agjencia Shtetërore e Lajmeve njoftoi se Adib dha dorëheqjen pas një takimi me presidentin libanez Michel Aoun, në Baabda Palace.

“Kryeministri Adib u takua me presidentin Michel Aoun për të shqyrtuar vështirësitë që ai hasi në përpjekjen e tij për të formuar qeverinë dhe paraqiti dorëheqjen e tij”, tha në një njoftim presidenca.

“Presidenti pranoi dorëheqjen dhe do të marrë masat e duhura në përputhje me kushtetutën”, shtoi ai.

Adib, një ish-ambasador në Gjermani, u caktua si kryeministër nga Aoun më 31 gusht, duke zëvendësuar Hassan Diab, i cili dha dorëheqjen pas protestave antiqeveritare të shkaktuara nga shpërthimi i 4 gushtit./ /ervo

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.