Ruçi: Në Pezë të bashkuar për lirinë, sot të bashkohemi për reformat dhe Europën

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Konferenca e Pezës mori vendimin e madh historik për t’u bashkuar, për të çliruar e ndryshuar Shqipërinë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi sot 78-vjetorin e Konferencës së Pezës.

“Konferenca e Pezës është një shenjë e dallueshme në historinë e Shqipërisë. E mbajtur në një nga udhëkryqet e historisë botërore, Peza zgjodhi pozicionin e duhur në konfliktin botëror që kishte nisur. Ajo synoi t’i bashkonte shqiptarët në rreshtimin e tyre në krah të aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist”, u shpreh Ruçi.

“Konferenca e Pezës integroi frymëzimet e rilindjes kombëtare dhe të luftrave për pavarësi me idealet antifashiste për çlirim dhe përparim”, tha ai.

“Konferenca e Pezës mori vendimin e madh historik për t’u bashkuar për të çliruar e ndryshuar Shqipërinë, një vendim që inspiron dhe do të vazhdojë të inspirojë shqiptarët, sot e në kohët që vijnë”, u shpreh Kreu i Kuvendit.

“Vizioni dhe mesazhi i  Konferencës së Pezës si bashkim për lirinë, janë sot aktual dhe një mësim historik për t’u bashkuar për reformat,  Europën dhe partneritetin me aleatët tanë strategjikë”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në përshëndetjen me rastin e 79-vjetorit të Konferencës së Pezës.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.