Tregu i fondeve të investimeve dominohet nga investimet në obligacione qeveritare

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti vlera neto e aseteve të fondeve të investimeve arriti rreth 65.47 miliardë lekë, me një ulje prej 1.3 miliardë lekë ose 1.97%, krahasuar me 31 dhjetorin e vititi 2019.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 69.09% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 1.93% krahasuar me 31.12.2019.

Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 30.06.2020 është 29,897 me një rritje prej 2.24%, krahasuar me 31.12.2019.

Në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre gjashtë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest Euro” dhe “Raiffeisen Vizion” të administruara nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”, fondi “WVP Top Invest” administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a” dhe fondi i investimeve “Albsig Standard” nën administrimin e shoqërisë administruese “Albsig Invest” sh.a. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.