Fiona McCluney emërohet koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Fiona McCluney nga Mbretëria e Bashkuar është emëruar  Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Emërimi është vendosur nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres, me miratim të Qeverisë së Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, McCluney sjell mbi 30 vjet përvojë në fushat e zhvillimit dhe urbanizimit duke përfshirë 12 vjet shërbim në sistemin e OKB.

Ajo më parë ishte Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Mal të Zi, gjithashtu shërbeu si Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Zhvillimit të UND (UNDP) në vend, nga viti 2015-2018.

McCluney më parë ka punuar me Kombet e Bashkuara si Këshilltare Kryesore Teknike dhe Shefe e Zyrës së Vendit në Palestinë (2012-2015) dhe në Irak (2011-2012).

Nga viti 2008 deri në 2011, ajo ka shërbyer në Kombet e Bashkura në Irak si Shefe e Qeverisjes Urbane, Tokës dhe Strehimit.

Para se të bashkohej me Kombet e Bashkuara, McCluney ka punuar në sektorin privat dhe me Departamentin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Mbretërisë së Bashkuar, me disa nisma të politikave urbane në Azi.

McCluney mban një MPh në Dizajn Urban dhe Planifikim Rajonal nga Universiteti i Edinburgut, Mbretëria e Bashkuar. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.