FISHË TEKNIKE – Kriza botërore nga COVID-19 në 10 etapa

PARIS, 10 shtator /ATSH-AFP/ – Nga informacionet e para që vinin nga Kina tek alarmet e  OBSH-së, të pasuara nga kufizimet dhe ndërprerja ekonomike globale.

Më poshtë vijojnë 10 etapat kyçe të përhapjes së COVID-19, e cilësuar si pandemi që prej gjashtë muajsh. 

Më shumë se 900 000 të vdekur dhe 27,6 milionë raste infektimi janë regjistruar zyrtarisht.

– Viktima e parë –

Më 31 dhjetor 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftohet nga autoritetet e Wuhanit se bëhej fjalë për raportimin e rasteve të pneumonisë virale në qytet. Organizata ndërkombëtare mori një konfirmim nga autoritetet kineze vetëm tri ditë më pas.

Më 7 janar 2020, një koronavirus i ri u identifikua. Katër ditë më vonë, Pekini njoftoi viktimën e parë.

– Wuhani shkëputet nga bota –

Më 23 janar, qyteti i Wuhanit u shkëput nga bota. Në ditët në vijim, ky do të ishte rasti për pothuajse të gjithë provincën e Hubeit. Vendet fillojnë të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga Kina.

Viktima e parë zyrtare jashtë Azisë u njoftua më 15 shkurt, një turist kinez i shtruar në një spital në Francë.

– Një pandemi –

Më 6 mars, epidemia kalon pragun e 100 000 rasteve të regjistruara në botë. Më 8 mars, Roma vendos kufizimin në veri të vendit, i shtrirë disa ditë më pas në të gjithë Italinë.

Më 11 mars, OBSH-ja e cilëson COVID-19 si pandemi.

Tregjet e bursave botërore regjistrojnë humbje historike. Qeveritë dhe bankat qendrore njoftojnë masat e para mbështetëse për ekonominë.

– Europa mbyllet –

Më 16 mars, Gjermania i kërkon popullsisë së saj të qëndrojë në shtëpi dhe Britania e Madhe për të shmangur çdo kontakt social.

Franca kufizohet duke nisur nga 17 marsi ndërkohë që Bashkimi Europian njofton mbylljen e kufijve të jashtëm.

– “Kërcënim për njerëzimin” –

Më 24 mars bëhet njoftimi për shtyrjen e Lojërave Olimpike të Tokios nga korrikut 2020 në vitin e ardhshëm. Të nesërmet., OKB thekson se përhapja e pandemisë kërcënon mbarë njerëzimin.

– Gjysma e botës e kufizuar –

Masa kufizuese u morën kudo në botë. Më 2 prill, më shumë se 3,9 miliardë persona, pothuajse gjysma e njerëzimit, u detyruan të kufizohen, sipas të dhënave zyrtare. Po të njëjtën ditë, pragu prej një milion raste me COVID-19 u kalua në botë.

– Ekonomia e gjunjëzuar –

Më 29 prill, kompania ajrore amerikane “Boeing” shkurton 16 000 vende pune. Transportuesit ajrorë, prodhuesit e makinave dhe të tjerët, shumë grupe të mëdha po vuajnë dhe po shpallin ulje të fuqishme të fuqisë punëtore.

– Polemika hidroksiklorokinë –

Promovuar nga profesori francez Didier Raoult, mbështetur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hidroksiklorokina klasifikohet si joefektive nga një studim ndërkombëtar, i publikuar më 22 maj.

Por ky botim, i cili përmban gabime, më pas tërhiqet. Më 5 qershor, një provë britanike në mënyrë të ngjashme arriti në përfundimin se produkti ishte joefektiv.

– Përhapje në Amerikën Latine –

Më 7 qershor, pandemia kalon pragun e 400 000 viktimave dhe progreson ndjeshëm në Amerikën Latine. Brazili bëhet vendi i dytë më i prekur nga COVID-19, pas SHBA-së.

– Maskat dhe anti-maskat –

Rritja e rasteve po çon disa vende europiane të imponojnë mbajtjen e maskave. Në fund të gushtit dhe fillimin e shtatorit, demonstrata kundër maskave janë organizuar në Berlin, Londër, Paris dhe Romë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.