“Homazh”/ Sotir Kolea, humanisti dhe shqiptari i madh që i dha shumë arsimit dhe kulturës

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, humanistin dhe shqiptarin e madh, Sotir Kolea.

“Sotir Kolea, në këtë vit të kremtimit të 100 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, meriton kujtimin me përulje si një prej drejtuesve të saj më të palodhur. Ai lindi në Berat më 4 shtator 1872. Historia, ku pati fatin të lërë një emër të nderuar nga të gjithë, nuk e njeh vetëm si drejtues i Bibliotekës Kombëtare në vitet më të vështira të formimit të saj. Pinjoll i një familjeje të dëgjuar tregtarësh të mençur dhe nëpunësish të devotshëm, që në Berat gëzonte emër dhe famë, Sotiri u ngjau babait, Kristos, xhaxhallarëve e gjyshërve, duke u dhënë i tëri pas asaj çka më shumë se gjithçka ishte vlerësuar në shtëpinë e tij prej kohësh: arsimit dhe kulturës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “beratasi i mirëushqyer me edukatë e me dije, ai përfitoi nga rrjeti familjar dhe tregtar për të qenë urë lidhëse mes kolonive shqiptare anembanë Mesdheut.

“Prej natyre ishte i shtruar dhe përbashkues. E gjejmë kështu në të gjitha zanafillat e mëdha të Rilindjes: në krijimin e shoqërive patriotike në Egjipt, në debate ndërkombëtare ku promovon çështjen shqiptare, në financimin e një sërë nismash që u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë. E gjejmë njësoj të përfshirë në shërbim të kombit në momente më pak ekzaltuese dhe shpresëdhënëse, duke botuar gazetën L’Albanie në Gjenevë në prag të Konferencës së Paqes me 1919, ku i bënte apel D’Annunzios e Nittit për ta parë Shqipërinë si partnere dhe jo si plaçkë lufte perandorake”, tha ai.

Sipas tij, “Kolea bëri shumë miq, por si kudo e kurdoherë, as armiqtë e smirëzinjtë nuk munguan”. “Me një gëzim ekspresiv që rrallë e shfaqte, i dituri e i zjarrti Lumo Skëndo, i dërgonte më 20 dhjetor 1927 lajmin që më vonë do të merrte formën qeveritare urdhëruese: “Jeni emnue drejtuer i Bibliotekës Kombëtare. Nisuni!”. Si drejtor mbajti nën sqetull bibliotekën dhe muzeun rishtar kombëtar. Shumëfishoi koleksionet duke dhënë madje nga biblioteka e tij personale, krijoi standard administrativ dhe menaxhues dhe plotësoi me dokumente dhe artefakte trashëgiminë e përbashkët kombëtare. La dorëshkrime historike dhe hulumtime leksikografike të rëndësishme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “të gjithë u pikëlluan kur më 1945 ndërroi jetë në ermitazhin e tij në Elbasan, larg bubullimave të pasluftës, pasi të gjithë ishin të vetëdijshëm që kishin humbur një humanist dhe një shqiptar të madh”.

“Në foto Sotiri mban në prehër mbesat e tij, njëra ndër të cilat është Heroina e Popullit, Margarita Tutulani, ndërsa djali është Heroi i Popullit, Kristaq Tutulani. Të paharrueshëm”, tha Rama. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.