Kufiri detar me Greqinë/ PD: Nuk ka transparencë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Partia Demokratike deklaroi sot se “po ndjek me vëmendje zhvillimet lidhur me deklarimin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale”.

“Nisur nga fakti se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbetur pezull procesi i delimitimit dhe se kjo përfshin zona me brigje përballë, një ekip ekspertësh të së drejtës së detit dhe asaj ndërkombëtare po shqyrton këtë çështje”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas PD-së, nga konstatimet e para vihet re se Konventa III e OKB-së mbi të Drejtën e Detit – UNCLOS, në nenin 3 parashikon se “çdo shtet ka të drejtën të vendosë gjerësinë e detit të tij territorial deri në një kufiri që nuk kalon 12 milje detare, të matur nga vija bazë e përcaktuar në përputhje me këtë Konventë”.

Megjithatë, sipas PD-së, “e drejta e parashikuar nga dispozita e mësipërme nuk zbatohet kur sipas së njëjtës Konventë, neni 15, “brigjet e dy shteteve gjenden përballë ose ngjitur me njëri-tjetrin, asnjë nga dy shtetet nuk ka të drejtë, përveçse kur ka një marrëveshje ndërmjet tyre, për ta shtrirë detin territorial përtej vijës mediane çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit prej dy Shteteve”.

Megjithatë, PD shprehet se “dispozita e mësipërme nuk zbatohet kur, për shkak të ndonjë titulli historik ose rrethanave të tjera të veçanta, është e nevojshme që delimitimi i detit territorial të dy shteteve të mos bëhet sipas mënyrave të mësipërme”.

“Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se cfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cenohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë. Ndërkohë qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi çfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike shprehet se “mbështet zgjidhjen e çdo cështje të mbetur pezull në marrëdhëniet me fqinjët përmes negociatave transparente duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, por në asnjë mënyrë duke cenuar të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë”./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.