Njësi elitë në shërbimin zjarrfikës, me aftësi dhe përgatitje si forcat RENEA në Polici

TIRANË, 28 gusht/ATSH / Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se do të krijohet një njësi elitë në shërbimin zjarrfikës, me aftësitë dhe përgatitje si forcat RENEA në Polici.

Ministri vizitoi sot së bashku me kryetarin e Bashkisë, Tiranë, Erion Veliaj mjediset e Shërbimit Zjarrfikës te “21 Dhjetori” në Tiranë.

Shërbimi zjarrfikës bazohet te njerëzit, tha ai, dhe pa u zgjidhur çështja e punonjësve zjarrfikës, nuk mund të zgjidhet as çështja e stacioneve, as e njësive më të mëdha.

“Fokusi ynë do të jetë te individi, të rekrutojmë dhe t’i trajnojmë njerëzit e duhur dhe t’i promovojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Tiranën do ta përdorim si model, për ta përsëritur në të gjithë vendin. Tirana i ka bërë hapat e para në mënyrë të qëndrueshme dhe meriton të kopjohet”, deklaroi ministri.

Më tej, ai theksoi se duhet vullnetarizëm jo vetëm në shërbimin zjarrfikës, por edhe në Policinë e Shtetit.

“Me këtë rast ftoj edhe qytetarët, edhe përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe të medias që t’i bashkohen shërbimit zjarrfikës apo shërbimeve të tjera vullnetare, për t’i dhënë një shembull angazhimi edhe rinisë. Hapi i radhës për këtë shërbim është krijimi i një Njësie Elitë në Shërbimin Zjarrfikës, me aftësitë dhe përgatitje si forcat RENEA në Polici”, deklaroi ministri Lleshaj./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.