Ballina Ekonomi

Udhëzimi/ Forcohen masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Për shumat e parave që do të transferohen jashtë nga individët dhe personat juridikë nga institucionet financiare, përveç të dhënave të dërguesit do të kërkohen edhe të dhëna për përfituesin e trasaksionit.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, sipas të cilit parashikohet që për kryerjen e shërbimit të parave jashtë vendit institucionet financiare përveç të dhënave të dërguesit do të kërkojnë të dhëna edhe për përfituesin, si: emrin, mbiemrin e përfituesit kur është individ; emërtimin, kur dërguesi është person juridik dhe numrin e llogarisë që përdoret për trasaksione dhe një numër unik të referencës së transaksionit që lejon gjurmueshmërinë e tij.

Ndryshimet, sipas MFE-së, kanë për qëllim të forcojnë masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit.

“Formulari (RAD) duhet të shoqërohet me të gjithë informacionin e nevojshëm, që mbështet dyshimet e parashtruara në raport, si dhe lejon nxjerrjen e konkluzioneve përkatëse, si: analizën e kryer, nxjerrjen e llogarisë bankare, dokumentet e identifikimit, të dhënat e transfertave, kontratat etj., dhe dërgohet i plotë në rrugë elektronike, si dhe me shkresë zyrtare nëse raportimi elektronik është objektivisht i pamundur. Raportimi në rrugë elektronike, kryhet bazuar standardet, formatin dhe aksesin që autoriteti përgjegjës u siguron sipas kërkesës së bërë për këtë qëllim nga subjekti”, përcaktohet në vendim./a.gjonaj/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTë ardhurat nga tatimi mbi fitimin, mblidhen 15.4 miliardë lekë gjatë 7-mujorit
Artikulli tjetërMat/ Kryebashkiaku Malaj për ATSH: Të gjitha shkollat do të jenë gati për nisjen e vitit shkollor