TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Tregu i huaj po tregon interes në rritje për eksportet e prodhimeve bujqësore “Made in Albania”, ku dominon kërkesa për domatet shqiptare dhe kastravecin, krahas produkteve të tjera.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë gjysmë së parë të këtij viti eksporti i kastravecave llogaritet 17,788 tonë nga 17,720 që ishte në të njëjtën periudhë të 2019-ës, duke shënuar një rritje prej 13.2%, në sasi.
Në vlerë, eksportet e kësaj kulture shënuan një rritje prej 6.8%. Konkretisht gjatë periudhës janar-qershor u eksportuan 966 milionë lekë kastraveca nga 905 milionë lekë që u eksportuan në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2019 eksportet e kastravecit arritën në mbi 22.2 mijë tonë, kundrejt 1.4 mijë tonëve që u eksportuan në vitin 2010.
Qeveria po mbështet bujqësinë me financime përmes programit IPARD dhe Skemës Kombëtare për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe agropërpunimit dhe agroturizmit, që sigurojnë të ardhura dhe zhvillim të ekonomisë rurale./a.gjonaj/ /a.g/





















