MADRID, 20 gusht /ATSH-AFP/ – Linja ajrore irlandeze “Ryanair” njoftoi sot se ka arritur një marrëveshje me pilotët e saj në Spanjë për të ulur pagat e tyre me 20%, në mënyrë që të minimizojnë shkurtimet e vendeve të punës, për shkak të reduktimit të fluturimeve nga pandemia e COVID-19.
“Marrëveshja e lidhur me sindikatën e pilotëve SEPLA, për katër vjet, përfshin gjithashtu krijimin e sistemeve fleksibël të punës, që lejojnë përfitime në prodhim”, tha kompania në një deklaratë.
“E gjithë kjo do të ndihmojë në minimizimin e humbjes së vendeve të punës për pilotët spanjollë”, shtoi ajo.
Megjithatë, “Ryanair” shpjegon se nuk ka arritur një marrëveshje me sindikatat e ekuipazhit të kabinës USO dhe SITCPLA, duke theksuar se mundësia e humbjeve të vendeve të punës në mesin e ekuipazhit të kabinës është tashmë më e vërtetë se kurrë.
Për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia, “Ryanair” ka paraqitur një plan ristrukturimi, ku përfshihet shkurtimi i 3 000 vendeve të punës në të gjithë rrjetin e tij ose 15% të forcës së tij të punës./ /ervo/






















