Ballina Bota

FRANCË – Macron pret Merkelin për problematikat e BE-së

PARIS/BERLIN, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të vizitojë presidentin francez, Emmanuel Macron në Fort de Bregancon të enjten e ardhshme, konfirmoi zëdhënësi i saj në Berlin.

Pallati Elysee gjithashtu konfirmoi vizitën, për të cilën thotë se do të jetë një “takim pune” për të mbuluar çështjet që do të dalin në nivelin europian pas pushimeve të verës.

”Këto përfshijnë koordinimin në lidhje me pandeminë e koronavirusit, buxhetin e bllokut, Brexit, klimën dhe tregtinë”, tha zëdhënësi.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu marrëdhëniet e BE me Kinën dhe Afrikën dhe çështjet aktuale të politikës së jashtme si Libani, Bjellorusia dhe situata në Mesdheun Lindor, ku Franca ka adoptuar një politikë të fortë kundër Turqisë.

Gjermania aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

“Kjo vizitë është e jashtëzakonshme, pasi është hera e parë që Merkel është ftuar në Fort de Bregancon nga një president francez”, tha Elysee.

Kjo kala në bregdet, në Cote d’Azur, midis Toulon dhe Saint Tropez, nuk është një skenë e re për takime diplomatike.

Macron u takua atje me presidentin rus Vladimir Putin gjatë verës së kaluar përpara samitit të G7-s, një grup nga i cili Rusia u përjashtua pasi aneksoi rajonin e Krimesë.

Edhe në 1985-n, presidenti francez Francois Mitterand dhe kancelari gjerman Helmut Kohl u takuan po atje./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTesti COVID-19 dhe orari i kufizuar nga pala greke krijuan radhë në Kakavijë e Kapshticë/ Policia u vjen në ndihmë qytetarëve
Artikulli tjetërBasha: Nevojitet një plan i detajuar për përballimin e situatës së pandemisë