Sandro Tonali kalon tek “Inter”, zyrtarizimi pas “Europa League”

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Sandro Tonali do të jetë futbollisti i radhës që do t’i bashkohet “Interit” gjatë merkatos së kësaj vere.

Zikaltrit kanë “djegur” konkurrencën me klube si PSG e “Milan” dhe kanë sistemuar të gjithë detajet për transferimin e talentit italian, ndërsa tani mungon vetëm zyrtarizimi.

Pas daljes së “Juventusit” nga gara për shërbimet e tij, gjithçka u lehtësua për Interin, pasi edhe vetë mesfushori 20-vjeçar doli qartazi në favor të një transferimi te klubi zikaltër, duke detyruar presidentin Massimo Cellino të pranojë ofertën e Marottës.

Bëhet fjalë për 35 milionë euro, të cilat “Interi” do t’i paguajë 10 menjëherë dhe 25 të tjera në fund të sezonit të ardhshëm, pasi transferimi do të kryhet në bazë të një huazimi me të drejtë blerjeje.

Vetë Tonali, i cili mezi pret të punojë me Antonio Conten, ka arritur marrëveshjen me zikaltrit për një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa aktualisht po shijon pushimet dhe shumë shpejt do të prezantohet te zikaltrit.

Aktualisht të gjithë te Interi janë të përqendruar te ndeshjet e Europa Leagues, pasi janë kualifikuar për në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni dhe pikërisht për këtë arsye, kanë vendosur që zyrtarizimin e Tonalit ta bëjnë vetëm pas përfundimit të këtij angazhimi.

Me Sandro Tonalin “Interi” rrit ndjeshëm koloninë e italianëve në skuadër, pasi vetëm një vit më parë transferoi edhe emra të tjerë të rinj e të talentuar si Nicolo Barella, Stefano Sensi e Alessandro Bastoni./m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.