“Europa League”/ Shakhtar Dontesk dhe Sevilla kalojnë në gjysmëfinale

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Një gol i Lucas Ocampos dy minuta para fundit të kohës së rregullt bëri që Sevilla të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 ndaj anglezëve të Wolverhampton dhe të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Europa League, ku do të gjejë përballë një tjetër skuadër angleze si Manchester United.

Në “Reisen Arena” të Duisburgut anglezët e nisën mirë takimin dhe fituan edhe një 11-metërsh me anë të sulmuesit Adama Traore, por gjuajtjen e Raul Jimenez e priti bukur portieri i Sevillas.

Pas këtij episodi, andaluzianët morën kontrollin e lojës dhe krijuan një mori rastesh, por goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 88′, kur Lucas Ocampos devijoi në rrjetë një krosim të Banegës.

Shakhtar Donetsk është skuadra që do të plotësojë katërshen gjysmëfinaliste, pasi ia doli të eliminojë në çerekfinale zviceranët e Baselit, në një ndeshje të dominuar dhe të fituar me meritë me shifrat 4-0.

Ukrainasit e nisën vrullshëm sfidën dhe zhbllokuan sfidën që në minutën e dytë me anë të Moraes, që shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit të Baselit, gjatë një goditjeje nga këndi dhe arriti të dërgojë sferën në rrjetë.

Zviceranët u përpoqën të reagojnë, por pa arritur të shfaqen rrezikshëm në zonën kundërshtare, ndërsa në minutën e 22-të ishte Taison që u shërbye nga Marlos dhe gjuajti drejt portës, duke shënuar edhe golin e dytë, i ndihmuar nga një devijim vendimtar i Frei.

Në pjesën e dytë ukrainasit shënuan edhe dy herë të tjera me anë të Alan Patrick dhe Dodo, duke vulosur suksesin që i çon në gjysmëfinale, ku do të gjejnë përballë Interin e Antonio Contes.

Sfidat gjysmëfinale do të luhen në datën 16 gusht Manchester United-Sevilla dhe në datën 17 Inter-Shakhtar Donetsk./m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.