TIRANË, 7 gusht /ATSH/- Investimet në Përmet në kuadër të programit për ripërtëritjen e integruar të hapësirave në zonat turistike ku ndërthuret tradicionalja me moderne, mundëson risi për zhvillimin e ekonomisë lokale, punësimin e të rinjve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro, ka publikuar detaje nga programi i qeverisë për “ Rigjenerimin e integruar urban të Përmetit”. Në kuadër të këtyre investimeve, do të përmirësohet aksesi i këmbësorëve si dhe do të rigjenerohet qendra historike e qytetit.
Një ansambël urbanistik i veçantë do të krijohet nga rrugicat me kalldrëmi, shtëpitë tradicionale me oborr dhe monumentet fetare.
Ky projekt synon restaurimin e peizazhit urban historik të qendrës së vjetër, unifikimin e fasadave , portave të vjetra dhe çezmave antike me impakt në përmirësimin e aksesit të këmbësorëve dhe lidhje më të mirë të qendrës historike me qytetin modern.
Ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore, bashkë me mobilim urban me sinjalistikë dhe ndriçim modern, rehabilitim i hapësirave publike me standardet më të mira, gjelbërim dhe kënde lojërash janë mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale përmes aksesit në infrastrukturën e modernizuar.
“Kam folur shpesh për Përmetin, por ndoshta jo mjaftueshëm për lagjen e vjetër të qytetit, që ndodhet në kodrinën përballë Vjosës, nën kurorën e gjelbërt të qytetit të trëndafilave. Pak ose aspak njihet nga vizitorët kjo pjesë, arkitektura, lulet, shtëpitë, kishat, detajet estetike të së cilës janë krijuar historikisht nga përmetarët denbabaden. Vetëm prej tyre”, shprehet Kumbaro .
Ajo kujton së “në vitin 2016, Ministria e Kulturës e nxori nga harresa dhe me Vendim të Këshillit të Ministrave e shpalli Qendër Historike”.
Sipas saj, kaq nuk mjafton. “Punuam fort për studimin e projektimin e rehabilitimit dhe të restaurimit të Qendrës Historike të Përmetit dhe me kënaqësi e krenari mund të them se ky projekt e bindi Bankën Botërore për ta përfshirë Përmetin në marrëveshjen e financimit bashkë me Gjirokastrën ku tashmë rezultatet flasin vetë. Tashmë projekti është i detajuar deri në detaje dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të fillojë punën për zbatimin e tij brenda vitit”,- thotë Kumbaro.
Ajo shprehe se , ky investim, do t’i japë shumë më tepër vlerë edhe çdo nisme private si ajo e Villa Përmet që do të shtohen e do të jenë atraksion fantastik në Përmet.
“Jam e bindur për këtë sepse potenciali natyror, kulturor, historik e sidomos njerëzor në Përmet është i rrallë. “Përmeti Që Duam” nuk është një slogan bosh, por është ky Përmeti ku shumë punë janë bërë, por edhe shumë më tepër mbeten për t’u bërë”- thekson Kumbaro. /a.g/























