TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Skuadra e “Kukësit” ka prezantuar përmes një videoje blerjen më të re, Angelo Tafas, portierin e talentuar i cili vjen nga akademia e “AEK”-ut të Athinës.
“Kukësi” njofton se Tafas ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me nënkampionët e Shqipërisë.
“Angelo Tafas është futbollisti më i ri i Kukësit! Portieri 20-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën dy vjeçare. Portieri i dalë nga akademia e AEK në Greqi, është një forcë më shumë për portën tonë”, njofton “Kukësi”.
“Tafas ka zhvilluar vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Portieri nga Elbasani ka përfaqësuar edhe Shqipërinë U19, ndërkohë që ka pasur mundësinë të jetë i grumbullar edhe nga Kristian Panuçi me ekipin e parë Kombëtar”, sqaron “Kukësi”.
“Tafas do të bashkohet me ekipin ditën e enjte kur edhe nisin përgatitjet për Kupat e Europës. Prej ditësh, Tafas ka zhvilluar stërvitje individuale me ish-futbollistin tonë, Roland Peqini”, thekson Kukësi.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kukësit. Peqini më ka folur për Kukësin dhe kohën kur shkruanin histori në Europa League. Shpresoj ta përsëris edhe unë diçka të tillë. Kukësin e shoh si mundësi për të qenë pjesë e Kombëtares por edhe si trampolinë për një kampionat edhe më të fortë. Falënderoj klubin e Kukësit për besimin dhe mundësinë e dhënë. Shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha bashkë”, janë fjalët e para të Tafas me “Kukësin.
Skeda e Lojtarit:
Emri: Angelo Tafas
Mosha: 20 vjeç
Kombësia: Shqiptare
Gjatësia: 1.84 m
Pozicioni: Portier
Klubet e mëparshme: Shqipëria U21, AEK
https://www.facebook.com/FKKukesiAlbania/videos/768681003890538/























