GREQI – Inaugurohet muzeu i parë nënujor

ALONNISOS, 2 gusht /ATSH-AFP/ – Greqia inauguroi muzeun e parë nënujor me mbetjet e një anijeje që transportonte mijëra amfora që u fundos në shekullin e V para Krishtit, një thesar i mbytur në Detin Egje që entuziastët e zhytjes tani do të lejohen ta eksplorojnë.

Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni mori pjesë në ceremoninë e cila u zhvillua në bordin e një anijeje dhe nën ujë me pjesëmarrjen e zhytësve.

Zona, që ndodhet pranë ishullit të Peristeras, në brigje e ishullit Alonissos, do të hapet për amatorët e zhytjes nga 3 gushti deri më 3 tetor, ndërkohë që turistët që nuk praktikojnë zhytjen do të kenë të drejtë për një vizitë virtuale në një qendër informacioni që ndodhet në Alonissos.

“Mbetjet e kësaj anijeje ndodhen në 21-28 metra thellësi afër bregdetit të ishullit të Peristeras dhe përmbajnë 3 000 deri në 4 000 amfora”, theksoi Maria Agalou, presidente e këshillit bashkiak të Alonissos./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.