UASHINGTON, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Autoritetet në Uashington njoftuan sot vendosjen e një karantinë 14-ditore për mbërritjet nga 27 shtete amerikane të konsideruara me rrezik të lartë, për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri në to.
“Këto janë shtete që kanë një mesatare shtatëditore të rasteve të reja ditore prej të paktën 10 raste për 100 000 banorë, me përjashtim të Virxhinias dhe Marilendit. Florida, Kalifornia, Teksasi dhe Delaueri preken veçanërisht nga kjo masë”, tha bashkia e qytetit në një deklaratë.
Ky dekret i kryebashkiakes, Muriel Bowser, hyn në fuqi nga sot për të gjithë personat, të cilët kanë udhëtuar për arsye jothelbësore. Këta do të duhet të qëndrojnë në shtëpinë ose hotelin e tyre dhe të dalin vetëm për takime të detyrueshme mjekësore ose për të marrë ushqim.
Të tjerët duhet të kujdesen për ndonjë simptomë dhe të kufizojnë sa më shumë kontaktet e tyre./ /ervo/






















