Ballina Flash

Rama uron piktorin Anri Sala në 46-vjetorin e tij: Moxarti i skenës shqiptare të arteve pamore

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Piktori shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Anri Sala feston sot 46-vjetorin e tij.

Kryeministri Edi Rama, e cilësoi atë si Moxartin e skenës shqiptare të arteve pamore.

“Ishte vetëm 10 vjeç kur me herën e parë që preku bojrat e vështira të vajit, pikturoi një natyrë të qetë, për të cilën po të mos e dish autorin e të mos jesh ekspert i ekspresionistëve, mund t’ia mveshësh autorësinë cilitdo prej emrave të mëdhenj të ekspresionizmit”, u shpreh Rama.

Të tilla, tha ai, janë plot prej pikturave të fëmijërisë e të adoleshencës së Anrit, që sot mbush 46 vjeç dhe shkëlqen mes yjeve më të ndritshëm të artit bashkëkohor në botë.

“Kam pasur fatin ta ndjek rritjen e tij qysh nga fëmijëria dhe ta admiroj ngjitjen e tij në majat e botës, por nëse do të duhej të numëroja cilësitë e tij të veçanta, do ta nisja nga qëndrimi i palëkundur me këmbë në tokë dhe mirësjellja e llojit më të bukur me të tjerët”, vijoi Rama.

Anri, tha Rama, qysh sot ka hyrë në historinë e artit botëror, shqiptar po se po.

“Por duke i uruar edhe 100 vite të suksesshme, uroj që sa më shumë artistë të rinj ta njohin e të mësojnë prej njerzillëkut të tij mbresëlënës”, u shpreh Kryeministri.

/a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReforma zgjedhore/ Nis mbledhja e Këshillit Politik, i pranishëm Kryeministri Rama
Artikulli tjetër116 vajza dhe djem u betuan në Bunavi si ushtarët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë