Ballina Bota

EBA – IATA: Sektori ajror kërcënohet nga karantina

DUBAI, 2 korrik /ATSH-AFP/ – Karantinat në vendet afrikane dhe ato të Lindjes së Mesme kërcënojnë transportin ajror me humbje të mundshme dhe falimentim të kompanive ajrore, paralajmëroi sot Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

Pas pezullimit të fluturimeve tregtare nga shumë vende për të frenuar përhapjen e COVID-19, disa kompani kanë rifilluar pjesërisht aktivitetet e tyre, por me kufizime, siç është detyrimi që udhëtarët të testohen ose të karantinohen pas mbërritjes.

“Masat e karantinës të vendosura nga qeveritë e 36 vendeve të Afrikës dhe Lindjes së Mesme përbëjnë 40% të të gjitha masave të karantinimit të ndërmarra në të gjithë botën”, tha zëvendëspresidenti i IATA-s për Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Mohamed al-Bakri, në një konferencë virtuale për shtyp.

Ai u bëri thirrje qeverive të gjejnë alternativa për karantinën.

Në parashikimin e saj të fundit, të publikuar sot, IATA vlerësoi se linjat ajrore në Lindjen e Mesme pritet të humbasin rreth 56% të të ardhurave të tyre dhe 55% të pasagjerëve, këtë vit, në krahasim me 2019-ën./ /ervo/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Deputetët miratojnë mocionin për mbështetjen e BQE-së
Artikulli tjetër“Turistët e huaj po vijnë me çartera të dedikuar”/ Klosi: Vizitorët nga trojet shqiptare, forcë e madhe për turizmin në Shqipëri