TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Banorët e fshatit Polenë, në Korçë do të kenë së shpejti rrugë të brendshme të rikonstruktuara dhe transformim të sheshit qendror të fshatit, një projekt që i hap rrugën zhvillimit turistik të fshatit të njohur për traditat e tij.
Bashkia e Korçës bën të ditur se “kanë filluar punimet për rikonstruksionin dhe sistemimin e 1,2 km rrugë të brendshme të fshatit Polenë dhe asfaltimin e segmentit që lidh këtë fshat me rrugën nacionale”.
Ndërtimi i unazës së brendshme dhe rehabilitimi i qendrës së fshatit do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën për banorët dhe do t’i hapë rrugë zhvillimit të mëtejshëm të fshatit.
Punimet e nisura e që po vijojnë me ritme intensive, janë në vijim të investimeve që po realizon bashkia me fonde nga buxheti i saj, për projektet zhvillimore në zonat rurale.
Punimet parashikojnë: sistemimin dhe ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjet e Polenës si dhe pajisjen e infrastrukturës rrugore me sinjalistikën e nevojshme sipas standardeve më të mira.























