TIRANË, 17 qershor /ATSH/ 7434 fermerë kanë aplikuar deri tani, online në portalin e-Albania për të përfituar nga Skema Kombëtare Mbështetëse në Bujqësi 2020.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bëri të ditur për ATSH-në se, numri i aplikimeve është ndjeshëm më i lartë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që fluksi i aplikimeve pritet të rritet edhe gjatë këtyre dy ditëve në vijim, deri në datën 19 qershor, që shënon dhe mbylljen e procesit të aplikimit.
Nga data 29 maj deri 19 qershor, fermerët kanë mundësinë të aplikojnë në e-Albania, me zero dokumente, për të përfituar nga fondet që jep buxheti i shtetit si mbështetje për sektorin bujqësor përmes Skemës Kombëtare 2020.
Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2020 është 743,9 milionë lekë dhe adreson financim të drejtpërdrejtë të fermerëve për sektorin e blegtorisë, subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore, fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
“Masat e mbështetjes përmes Skemës Kombëtare janë komplementare me programin IPARD dhe nuk krijojnë mbivendosje me të. Vëmendja jonë për fermerët dhe sipërmarrësit rural. Çdo fond publik i vënë në dispozicion të skemën kombëtare për mbështetjen e bujqësisë shkon drejtpërdrejt tek fermeri”, thekson AZHBR. /a.a/r.e/






















