Ballina Bota

FOKUS – Europa drejt rikthimit gradual në normalitet

MADRID, 25 maj /ATSH-AFP/ – Europa, ku më shumë se 173 000 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri, vazhdon me kujdes të rikthehet në normalitet, ndërkohë që SHBA-ja po i afrohet pragut prej 100 000 të vdekur  dhe më shumë se 40 000 persona kanë humbur jetën në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Në Europë, ku pandemia duket nën kontroll, gjithnjë e më shumë vende po heqin një nga një masat kufizuese të vendosura në kulmin e krizës.

Në Spanjë, disa plazhe janë lejuar të hapen, gjithashtu dhe tarracat e bareve në Madrid dhe në Barcelonë.

Në Itali, sportistët do të mund të rikthehen në pishina dhe në qendrat sportive duke nisur nga sot.

Në Greqi, një e treta e bareve dhe restoranteve, që mund të shërbejnë jashtë, do të presin klientët pas më shumë se dy muaj të mbyllura. Autoritetet greke do të njoftojnë gjithashtu rihapjen e shkollave fillore duke nisur nga 1 qershori.

Britania e Madhe konfirmoi dje planin për lehtësimin gradual të masave, me një rihapje të pjesshme të shkollave më 1 qershor.

Në Islandë, diskotekat, baret dhe sallat e sporteve do të mund të rihapen sot. Vendi njoftoi për herë të parë lehtësimin e masave më 4 maj duke rihapur gjimnazet dhe universitetet, muzetë dhe parukeritë. Pishinat u autorizuan gjithashtu të rihapen më 18 maj.

Në Republikën Çeke është autorizuar rihapja e restoranteve, bareve, hoteleve, kopshteve zoologjike, pishinave, artistët e tatuazheve dhe shkollat ​​fillore do të mirëpresin nxënësit mbi baza vullnetare. Vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme, përveç në dyqane dhe transportin publik.

Në Gjermani, shumica e restoranteve do të mund të hapen sot, si disa hotele në zona turistike, por pothuajse të gjitha baret do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Kontakti i ngushtë mbetet i kufizuar për anëtarët e dy familjeve në një kohë./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFabrikë e re agropërpunuese e frutave në Tamarë, investimi që do të punësojë banorët e zonës e do rrisë ekonominë lokale
Artikulli tjetërGJERMANI – Lufthansa marrëveshje me qeverinë për një plan shpëtimi