TIRANË, 23 maj /ATSH/-Sektori i peshkimit nxiti shitjet direkte përmes platformave virtuale, në kushtet e situatës që krijoi COVID-19, që ndikoi në zinxhirin e furnizimit, duke ulur ndjeshëm kërkesat në restorante dhe industrinë e turizmit.
Kështu vuri në dukje, takimi online që u zhvillua ditët e fundit mes ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë, Bankës Botërore dhe autorëve të një studimi vlerësues mbi peshkimin dhe akuakulturën në Shqipëri.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth gjetjeve të studimit, mundësitë, kufizimet dhe përparësitë e reformave dhe investimeve të propozuara për sektorin.
Diskutuesit përmendën disa kufizime, përfshirë mbishfrytëzimin e rezervave të peshkut dhe rritjen e nivelit të peshkimit të paligjshëm, varësinë e lartë të industrisë së përpunimit nga importi, qeverisjen e dobët të sektorit dhe punën e pakët kërkimore dhe kapacitetet e kufizuara.
Peshkimi së bashku me turizmin kontribuojnë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë. Vendi ka një industri dinamike të përpunimit të peshkut, megjithëse konsumi i brendshëm për prodhimet e detit është ende i ulët.
Afërsia me tregjet më të mëdha globale të prodhimeve te detit dhe një sektor në rritje pritet te çlirojnë potencialet e pashfrytëzuara në peshkim dhe akuakulturë në Shqipëri.
Ekspertët gjatë takimit mbështetën propozimet për përmirësime në kuadrin ligjor; përcaktimim e zonave për akuakulturën; zhvillimin e standardeve mjedisore dhe sociale “Made in Albania”, përmirësimin e qeverisjes, përmirësimin e kapaciteteve për organizatat e peshkatarëve përmes përvojave të binjakëzimit, mbështetjen e kërkimeve, promovimin e markës Made in Albania, promovimin e konsumit të brendshëm të prodhimeve të detit, zhvillimin e tregut elektronik të ankandeve, etj.
Ky studim është pjesë e një serie punimesh në kuadrin e programit të Bankës Botërore për çlirimin e potencialeve të Ekonomisë së Kaltër.
e.xh/ /a.g/























