Kukës/ Aksion për pastrimin e liqenit të Fierzës, krijim i hapësirës së shfrytëzueshme nga qytetarët

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Në qytetin e Kukësit ka nisur puna për pastrimin e liqenit të Fierzës me synim largimin e mbetjeve të ndryshme dhe krijimin e një hapësire të shfrytëzueshme nga qytetarët.

Punonjësit e Agjencisë së Mjedisit dhe liqenit të Fierzës të bashkisë Kukës po pastrojnë pjesën tek ish reparti ushtarak.

Aksioni do të vazhdojë çdo ditë deri në normalizimin e situatës pavarësisht se kjo shikohet si një detyre mjaft e vështirë për shkak të ardhjes se mbeturinave edhe nga Kosova.

Drejtori i agjencisë së mjedisit dhe liqenit të Fierzës të bashkisë Kukës, biologu Arben Palushi, tha se “çdo pranverë liqeni me rritjen e tij fillon të shfaqë ndotje kemi vendosur që pjesët kryesore aty ku janë bazat e ndotjes ku grumbullohen të gjithë mbetjet plastike ti heqim e ta pastrojmë siç është pastruar pjesa e Ram Hasit dhe pjesa e Urës së Drinit të Zi, ku fillon dhe autostrada”.

Para disa ditësh i gjithë stafi i bashkisë ka marrë pjesë në aksionin  për pastrimin e liqenit, ku u mbushën 220 qese plastike.

Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës. Ai është shpallur hapësirë ujore me interes edhe për peshkimin, si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.