Incidente të dhunshme mes pjesëmarrësve në protestë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Protesta e pasdites së sotme e thirrur nga “Aleanca për Teatrin” pati momente tensioni, kur disa qytetarë i kanë kërkuar në kor kryedemokratit Lulzim Basha, i pranishëm në tubim, që të largohet, duke e konsideruar si “tradhëtar” të kauzës.

Në momentin që në protestë mbërriti kreu i PD-së, Lulzim Basha situata u tensionua. Sikurse shihen edhe nga pamjet disa protestues u qëlluan me njëri-tjetrin në këtë moment, kur disa metra larg tyre ndodhej edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha ishte duke qeshur në momentin e sherrit, ndërkohë që pas shpinës së tij, protestuesit nuk i kursyen grushtet. Sherri ka ndodhur mes disa pjesëmarrësve dhe militantëve që PD-së që e shoqëronin Bashën.

Ndërkaq, në protestë pati edhe të lënduar. Nga hedhja e një shashke mes protestuesve janë lënduar dy qytetare, njëra prej të cilave gazetare, e cila ka qenë në krye të detyrës, dhe që ka marrë ndihmën e parë nga qytetarët.

Një nga protestuesit ka hedhur shashka mes turmës duke shkaktuar lëndimin e dy qytetareve.

Protesta e thirrur nga “Aleanca për mbrojtjen e teatrit” u zhvillua pasditen e sotme, ashtu si ishte paralajmëruar një ditë më parë, duke nisur nga ora 16:30, pranë Ministrisë së Brendshme dhe përgjatë bulevardit.

Protestuesit u mblodhën në mjediset pranë Ministrisë së Brendshme dhe përgjatë bulevardit me pjesëmarrjen edhe të opozitës joparlamentare kundër prishjes së godinës së vjetër të teatrit.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.