Ballina Flash

Bullgari/ Ndalohet hyrja e gjithë shtetasve të huaj deri më 14 qershor

TIRANË, 15 maj/ATSH/ – Ambasada e Shqipërisë në Bullgari informon të gjithë qytetarët shqiptarë se autoritetet bullgare kanë vendosur ndalimin e përkohshëm të hyrjes në Bullgari deri më 14 qershor 2020 të të gjithë shtetasve, pavarësisht nga shtetësia e tyre në të gjitha pikat e kalimit kufitar të transportit tokësor, ajror, detar dhe hekurudhor.

“Kjo masë kufizuese nuk është e zbatueshme për:

  1. shtetasit bullgarë, familjarët e tyre si dhe personat, që kanë leje qëndrimi afatgjatë ose të përhershme ose janë familjarë të shtetasve bullgarë;
  2. profesionistët dhe studiuesit mjekësorë si dhe punonjësit socialë, kur qëllimi i udhëtimit lidhet me përmbushjen e detyrës;
  3. personelin e transportit të angazhuar në sektorin e transportit, transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, ekuipazhin e avionëve të transportit të mallrave, ngarkesave dhe pasagjerëve si dhe ekuipazhin e anijeve dhe personat e angazhuar me mirëmbajtjen e anijeve;
  4. zyrtarët e huaj (Krerët e shteteve, Ministrat e Qeverive etj.) dhe anëtarët e delegacioneve të tyre si dhe diplomatët, zyrtarët e organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjësit humanitarë gjatë përmbushjes së shërbimeve humanitare;
  5. personat, që udhëtojnë për motive humanitare;
  6. shtetasit e shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve Shengen, duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe shtetasit e vendeve të treta, ku përfshihet edhe Shqipëria, të angazhuar në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përdorimin e infrastrukturës strategjike të Bullgarisë;
  7. punëtorët sezonalë të punësuar në bujqësi ose turizëm;
  8. punëtonjësit e pikave kufitare;
  9. punëtorët, që merren me furnizimin me produkte mjekësore, produkte për mbrojtje personale, aparate mjekësore duke përfshirë edhe instalimin dhe mirëmbajtjen”, thuhet në një njoftim të ambasadës shqiptare në Bullgari.

Kalimi tranzit në territorin e Bullgarisë lejohet vetëm për:

  1. shtetasit e shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve Shengen duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe anëtarët e familjes së tyre, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre;
  2. shtetasit e vendeve të treta, që kanë një lejeqëndrimi afatgjatë të lëshuar në një shtet tjetër anëtar të BE-së ose një vend Shengen duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe anëtarët e familjes së tyre, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre;
  3. qytetarët serbë, maqedonas, malazezë dhe turqë, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre.

Kalimi tranzit lejohet vetëm kur garantohet largimi i menjëhershëm nga territori bullgar. Për subjektet e pikës 2, ky kalim garantohet pas njoftimit paraprak nga Posti Diplomatik ose Konsullor duke përcaktuar pikat kufitare hyrëse dhe dalëse”, thekson ambasada shqiptare në Sofje.

Ambasada shton se, “çdo shtetas, që hyn në territorin e Bullgarisë vendoset në karantinë për një periudhë 14 ditore në vendbanimin e tij ose në vendin e akomodimit të përcaktuar”.

“Drejtuesit e kamionëve të transportit të mallrave duhet të lënë Bullgarinë brenda 24 orëve, që hyjnë në territorin bullgar. Në rastin e kalimit tranzit në territorin bullgar, drejtuesit e kamionëve duhet të përshkruajnë rrugën e përcaktuar nga Agjencia bullgare e Infrastrukturës Rrugore. Në rastin kur drejtuesit të kamionit nuk i lejohet hyrja në shtetin tjetër për shkak të ndonjë mase kufizuese, mund të qëndrojë në Bullgari deri në heqjen e kësaj mase. Me heqjen e masës kufizuese, drejtuesi i kamionit duhet të lërë territorin bullgar”, thekson ambasada shqiptare.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump zgjat ndalimin e produkteve Huawei
Artikulli tjetërKurti pret ambasadorin Minxhozi/ Rritje e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve mes dy vendeve