Dita e Drejtësisë/ Xhafaj: Koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

TIRANË, 10 maj/ ATSH- A. Fortuzi/- Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj në Ditën e Drejtësisë, ka theksuar se ka ardhur koha që procesi të përmbyllet përfundimisht.

Në një reagim me rastin e Ditës së Drejtësisë, Xhafaj shprehet se “ka shumë punë, sfida për t’u përballur për ta realizuar Reformën në Drejtësi siç e ideuam dhe e miratuam”.

“Kërkohet më shumë përgjegjshmëri e transparencë, kurajo e guxim nga vetë institucionet e reja të drejtësisë. Shembulli i 3 gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, çfarë ata janë duke bërë në pak javë, është ajo çfarë qytetarët presin nga drejtësia e re. Besoj fort te reforma në drejtësi, te e ardhmja e saj. E sigurt që kurrsesi nuk do të jetë si deri më sot, por shumë më e mirë, më e drejtë, funksionale, eficiente dhe kryesorja me njerëz me integritet dhe të aftë profesionalisht. Koha për drejtësinë e munguar!”, shprehet Xhafaj.

“Drejtësi e re me kurajo e më me forcë ballë korrupsionit dhe krimit, abuzivizmit dhe arrogancës së pushtetit ndaj qytetarëve. Koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të dhënë shpresë e besim për shtetin e së drejtës. Ata që e duan siç e kishin DJE ta harrojnë! Ajo vdiq. Ata që edhe NESËR e duan si dje, s’paskan kuptuar ende asgjë nga reforma. E mendojnë e veprojnë gabim. Është ndërtuar e tillë që të jetë ndryshe dhe për ta. Drejtësi të barabartë për të gjithë, drejtësi në shërbim të qytetarëve”, përfundoi Xhafaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.