Vetingu rinis punë/ KPK, protokoll rigoroz masash për mospërhapjen e COVID-19

TIRANË, 10 maj /ATSH – I. Vata/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me qëllim që të garantohet vijimësia normale e punës si dhe të garantohen standardet dhe parimet e procesit të rregullt ligjor, përgjatë situatës së pandemisë “COVID-19” njoftoi se veprimtaria do të zhvillohet sipas një protokolli të caktuar të hartuar për këtë rast.

Stafi dhe anëtarët e Komisionit duhet të zbatojnë rregullat për masat e higjienës dhe të distancimit social, në përputhje me rekomandimet dhe protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), në funksion mbrojtjes së shëndetit për parandalimin dhe kufizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19, në ambientet ku zhvillojnë veprimtarinë. Përpara se të hyjë në institucion çdo punonjës dhe anëtar i Komisionit, duhet t’i kontrollohet temperatura me anë të termometrave të posaçëm për matjen në distancë dhe më pas të lejohet ose jo hyrja në institucion. Hyrja në institucion e çdo punonjësi, staf i Komisionit ose jo, duhet të bëhet nëpërmjet tunelit të dezinfektimit. Çdo punonjës dhe anëtar i Komisionit duhet të pajiset nga institucioni dhe duhet të përdorë mjetet mbrojtëse për shëndetin, maska higjienike dhe doreza, si barrierë fizike për parandalimin dhe minimizimin/kufizimin e përhapjes së infeksionit në ambientet ku punojnë.

Në ambientet e brendshme të Komisionit dhe ato të përbashkëta të punës (holle, shkallë dhe korridore) duhet të përdoren dezinfektantët-antibakterial me bazë alkooli jo më pak se 60% përpara se të kontaktojnë me njëri-tjetrin dhe në aparatet e posaçme me solucione dezinfektant-antibakterial. Gjatë kohës së punës në institucion, çdo punonjës duhet të zbatojë rregullat e higjienës për larjen e shpeshtë të duarve me sapun, tharjen me peshqirë njëpërdorimësh, hedhjen e tyre në kosha të mbyllur për eleminimin dhe mospërhapjen e mbetjeve, si dhe të bëjë dezinfektimin e duarve dhe të sipërfaqes së pajisjeve dhe mjeteve që përdor në postin e tij të punës.

Stafi i Komisionit është i detyruar të respektojë informacionin e afishuar brenda institucionit me rregullat për higjienën dhe distancimin fizik prej 2 metra nga njëri-tjetri. Distanca prej 2 metra duhet të respektohet në zyra dhe në ambientet e përbashkëta si holle, korridore, salla mbledhjeje, përfishirë dhe në postet e punës të punonjësve të vendosur nëpër zyra, sipas një grafiku të përditshëm të koordinuar. Gjatë punës dhe në rast takimesh/mbledhjeje pune, çdo punonjës duhet të respektojë gjithashtu rregullat/praktikat e etikës respiratore, kollitjes e tështitjes nëpërmjet vënies së bërrylit përpara gojës dhe hundës apo përdorimit të shamive njëpërdorimshe. Shërbimi i pastrimit dhe i dezinfektimit të ambjenteve të brendshme, i pajisjeve tëzyrave, dorezave dhe suprinave të dyerve, tryezave, dhe mjeteve të punës, duhet tëbëhet nga sanitaret e institucionit me solucionet e pastrimit dhe të dezinfektimit, përpara dhe pas përfundimit të punës. Administrata e shërbimeve mbështetëse duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punës në institucion, të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, si dhe të sigurojë funksionimin e sistemit të ajrosjes dhe të ventilimit, furnizimin e vazhdueshëm me mjete mbrojtëse dheprodukte higjienike.Në rast se një anëtar i Komisionit ose i stafit të tij (apo anëtar ose staf i ONM-së), rezulton me simptoma apo i infektuar me “COVID-19”, njoftohen menjëherë autoritetet kompetente të shëndetësisë dhe zbatohen drejtpërdrejt masat dhe protokollet e karantinës dhe të gjurmueshmërisë të miratuara nga autoritetet shtetërore.

Masat organizative prekin edhe zhvillimin e veprimtarisë së Komisionit në seancat publike dëgjimore dhe ato të vendimmarrjes. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do t’u mundësojë dhe do të ndihmojë pjesëmarrësit në seancat publike dhe përfaqësuesit e mediave të kryejnë detyrën, duke u bërë pjesë e seancave dëgjimore publike, duke garantuar për të gjithë ambient të përshtatshëm dhe të sigurt. Pjesëmarrësit në seancat publike, qytetarë dhe përfaqësues të medias duhet të informohen dhe të sigurohen paraprakisht që të jenë të pajisur me maska dhe doreza, të respektojnë masat e higjienës dhe distancimin fizik prej 2 metra, në të kundërt ndalohet rreptësisht hyrja e tyre në séance publike.Pjesëmarrësit duhet të respektojnë praktikat e etikës respiratore, kollitjes e teshtitjes nëpërmjet vënies së bërrylit përpara gojës dhe hundës apo përdorimit të shamive njëpërdorimshe. Në hyrje të sallës së Pallatit të Koncerteve, Komisioni afishon një informacion/poster me rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, një kontenitor me solucion  dezinfektant-antibakterial për duart, si dhe një termometër të posacëm për matjen në distancë të temperaturës për secilin pjesëmarrës.

Stafi i Komisionit merrr masat që, 30 minuta përpara fillimit të seancës dëgjimore: çdo pjesëmarrës të kontrollohet sipas këtyre rregullave dhe më pas të orientohet për t’u vendosur në sallë. Ulëset në panelin e Komisionit, të ONM-së, subjektit të rivlerësimit/përfaqësuesit ligjor të tij, si dhe ulëset e publikut dhe postet e medias të jenë të vendosura në distancë 2 m. Tryezat dhe çdo pajisje në sallë duhet të jetë e pastruar dhe e dezinfektuar nëpërputhje me protokollet e miratuara anti “COVID-19”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.