SHBA – Guterres: COVID-19 ka shkaktuar një “cunami të urrejtjes”

NJU JORK, 8 maj /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres sot deklaroi se pandemia e koronavirusit të ri vazhdon të shkaktojë “cunami të urrejtjes dhe ksenofobisë, sakrifikimit dhe frikësimit”, dhe u bëri thirrje të gjithëve të bëjnë përpjekje që t’i japin fund gjuhës së urrejtjes në nivel global.

“Ndjenjat e drejtuara kundër të huajve janë rritur në mediat sociale dhe në rrugë. Janë përhapur teoritë e konspiracionit dhe antisemitike dhe kanë ndodhur sulme antimyslimane të lidhura me COVID-19”, tha Guterres.

Ai tha se emigrantët dhe refugjatët “u abuzuan si burim i virusit dhe iu mohua qasja në trajtim mjekësor”.

Guterres u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë solidaritet me të gjithë njerëzit, institucionet arsimore që të përqendrohen në “shkrim-leximin dixhital” në një kohë kur “ekstremistët po përpiqen të gjejnë viktima në një audiencë të kapur dhe potencialisht të dëshpëruar”.

Ai u bëri thirrje mediave, veçanërisht rrjeteve sociale, që “të heqin përmbajtjet raciste, misogjiniste dhe të tjera të dëmshme”, shoqëria civile të forcojë murin për të mbrojtur njerëzit e cenueshëm dhe udhëheqësit fetarë të shërbejnë si shembuj të respektit të ndërsjellë.

“U kërkoj të gjithëve, kudo, të kundërshtojnë urrejtjen, të trajtojnë njëri-tjetrin me dinjitet dhe të përdorin çdo mundësi për të përhapur mirësinë”, tha Guterres.

Kreu i OKB-së theksoi se COVID-19 “nuk i intereson kush jemi, ku jetojmë, në çfarë besojmë ose ndonjë dallim tjetër”. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.