TIRANË, 27 prill/ATSH/ Partia Demokratike i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit të hetojë tenderat e disa ministrive, shumica prej të cilëve të klasifikuar sekret nga qeveria.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shpreh shqetësimin se përmes këtyre procedurave jotransparente, paratë e shqiptarëve janë përdorur në mënyrë abuzive dhe korruptive.
Në njoftimin për shtyp të PD-së, theksohet se janë 7 tendera të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë paracaktuar fituesin në blerjen e paketave ushqimore apo mjeteve mbrojtëse mjekësore antiCOVID.
“Të gjitha këto procedura, për aq sa janë bërë publike, provojnë paracaktimin e fituesve dhe një rritje fiktive të çmimeve të blerjes së mallrave të prokuruara. Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.
/gj.mima//a.a//r.e/












