Mesi: Projektligji për “Tregjet e kapitalit” në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë

TIRANË, 27 prill/ATSH-Maela Marini/ Projektligji për “Tregjet e kapitalit”, përveçse një detyrim ligjor i Shqipërisë në kuadër të MSA-së shërben edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

Kështu deklaroi sot nënkryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit Europian, Senida Mesi, gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në komision.

Mesi tha se “ne kemi tashmë një bursë dhe ligji është detyrim ligjor i Shqipërisë, por edhe është i rëndësishëm për zhvillimin e kompanive dhe ekonomisë shqiptare, sidomos në këtë periudhë që flasim e jetojmë”.

“Uroj që institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtyre ligjeve t’i zbatojnë ashtu si duhet shoqëruar edhe me një edukim financiar përkatës që të shërbejë për rimëkëmbje të ekonomisë dhe një funksionalitet në të gjitha shërbimet financiare që t’i japin ekonomisë shqiptare atë shtysë që ka nevojë”, tha Mesi.

Ajo tha se “do të shikojmë zbatimin e këtyre ligjeve që kompanitë shtetërore dhe private të kenë mundësi të kuotohen nesër në bursë për të parë se sa vlejnë ato për publikun e gjerë”.

“Pra, në një farë mënyre ne vëmë në funksion të gjitha këto ligje që të shohim funksionalitetin dhe efikasitetin e tyre dhe nëse ka nevojë, ne jemi prapë këtu për të bërë përmirësimet e duhura”, tha Mesi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.