KOPENHAGEN, 15 prill /ATSH-MIA/- Pas një muaji mbylljeje për urgjencën e koronavirusit, Danimarka rihap kopshtet, çerdhet dhe shkollat fillore këtë mëngjes, dhe bëhet vendi i parë i Europës që e bëri këtë.
Shkollat e mesme dhe licetë janë mbyllur dhe do të hapen përsëri në 10 maj. Kthimi në klasë bëhet me masa të sigurisë shëndetësore siç është distanca prej dy metrash midis tavolinave dhe rekreacioni në grupe të vogla.
Sidoqoftë, mësimet filluan përsëri në gjysmën e komunave daneze dhe 35% të instituteve të Kopenhagenit, ndërsa të tjerët kërkuan më shumë kohë për t’u përshtatur me masat në fuqi. Sidoqoftë, të gjitha shkollat fillore do të hapen deri më 20 prill.
Të shqetësuar për rrezikun e infektimit, disa prindër kanë nisur një peticion, i cili ka arritur të mbledhë 18 000 firma për t’i mbajtur të mbyllura shkollat, ndërsa shumë do të zgjedhin në mënyrë të pavarur që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.
Danimarka ka afërsisht 6.700 raste të infektimit që nga shpërthimi dhe 299 viktima. /os/























