Ballina Flash

Beci: Rritje e numrit të testimeve në Shkodër, identifikim i rasteve

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Shkodra është një ndër qytetet më të prekura nga COVID-19, ku numri i të infektuarve ka shkuar në 38 persona ndërsa numri i testimeve është rritur me qëllim identifikimin e rasteve.

Drejtori i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në qarkun Shkodër, Astrit Beci për një nga mediet e vendit foli për disa nga masat e marra për ta mbajtur situatën nën kontroll.

“Masat e marra në spitalin Rajonal të Shkodrës qoftë në sistemin e triazhimit dhe kalimit nga infektivi te skaneri, nuk mendoj që përbën rrezik. Nga një testim që ne bëmë me personelin e spitalit të Shkodrës para një jave, për një rast tjetër të ngjashëm që kishim, të gjithë testet e bëra atë ditë, 14 në total, rezultuan negativë. Kjo do të thotë që deri më tani nuk kemi prekje të personelit shëndetësor dhe po përpiqemi maksimalisht të marrim masa për të ruajtur shëndetin e tyre”, – tha Beci.

Në lidhje me testimet ai shprehet se ato janë rritur, ku vetëm ditën e djeshme janë kryer 28 testime.

“Numri i testimeve është rritur. Dje janë bërë rreth 28 testime dhe në ditët e fundit numri i testimeve është diku te 55 apo 57. Nëse më parë dyshonim për dy vatra, tani kemi tre vatra në total, të cilat po i ndjekim në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve për të pasur rezultatet. Edhe sot në mëngjes ne filluam ditën me njësinë vendore të Shkodrës dhe stafin e epidemiologëve. Dërguam njerëzit në terren për të ndjekur pikërisht këto raste, si dhe për të bërë verifikimin e tyre, qoftë nga mjeku i familjes, mjekët epidemiolog etj. Testimet bëhen edhe në banesë, edhe në spitalin rajonal, bëhen aty ku ne dyshojmë se është rasti në mënyrë që lëvizjet të jenë sa më të kufizuara dhe të merret tamponi”, – tha Beci.  z.tosku/ /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Testimi masiv është zgjidhja, jo sulmi ndaj opozitës
Artikulli tjetërSUEDI – Qeveria përgatitet për masa më të ashpra ndaj koronavirusit