Ballina Flash

Brataj: Numri i thirrjeve drejt 127 është ulur ndjeshëm, tregues pozitiv i rezultateve të masave të marra për distancimin social

TIRANË, 3 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Numri i thirrjeve në Urgjencën Kombëtare 127 ka pësuar ulje të ndjeshme këtë fillim muaji në krahasim me muajin mars, nga një mesatare prej 8 500 thirrjesh në ditë gjatë muajit mars në një mesatare prej 3 500 thirrjes, duke treguar kështu që masat e marra nga qeveria për distancim social sa i takon luftës ndaj COVID 19 kanë dhënë rezultate.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të premten pasdite mbledhje me Komitetin Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i ngritur për parandalimin e përhapjes të epidemisë së koronavirusit, ku kreu i Urgjencës Kombëtare, theksoi se trendi thirrjeve në 127 është një tregues pozitiv sa i takon rezultateve të arritura nga distancimi social.

“Sot bëmë një analizë të shifrave. Ne jemi termometri i kësaj situate, pasi kontakti i parë i kësaj situate jemi ne. Nëse në vitin 2017 nga data 3 prill deri në 31 dhjetor për qarkun e Tiranës kishim 134 000 thirrje, këto i kemi bërë vetëm për këtë muaj, 134 443 thirrje nga 1 marsi. 15 000 thirrje kanë ardhur nga 0800 40 40, nga 150 000 thirrje të kthyera, nga të cilat 66 400 vetëm për COVID- 19, ku janë përjashtuar 8 014 nga njësia e koordinimit, teksa 222 thirrje kanë qenë misione të drejtuara drejt spitalit. Piku i thirrjeve është regjistruar më datën 14 mars, me 8 232 thirrje, ndërsa në këto momentet mesatarja e thirrjeve ditore është 3 656 thirrje”, – tha Brataj.

“Lajm tjetër pozitiv është dhe trendi i shtrimeve në spital. Ndërsa piku i shtrimeve ka qenë më datë 27 mars, 25 të shtruar, sot vetëm 13 misione, kjo tregon uljen e thirrjeve për misione spitalore, që do të thotë shmangien e virusit falë masave që janë marrë”,- shtoi ai.

“Në numrin e gjelbër 0800 40 40, janë regjistruar 15 000 thirrje nga data 19 mars që nisi numri jeshil dhe falë 2 VKM, ne shtuam forcat për të përballuar thirrjet, pasi numri i tyre shkonte deri në 9 500-10 000 thirrje në ditë, sot jemi 3 500-4 000 thirrje në ditë. Ne falë organizimit kemi tetë ambulanca, edhe 2 në dispozicion të pacientëve COVID- 19 në Tiranë, ku pacientët merren dhe përcillen drejt spitalit, me një mjek apo infermierë  shoqërues dhe drejtuesin e autoambulancë. Dhe pjesa tjetër e flotës mbulohet me shërbimi e zakonshëm te qytetarët. Pesë nga këto ambulance kanë respiratorë, që na ndihmojnë për transferimin e pacientëve nga spitali COVID-1, te QSUT, në spitalin COVID- 2, te “Shefqet Ndroqi”, ku vetëm sot u transferuan 3 pacientë te COVID- 2”-, tha Brataj. /a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama me Komitetin Teknik të Epidemisë: Po ecim mirë, por nuk ka vend për të lëshuar asnjë milimetër terren
Artikulli tjetërCOVID-19 – CEPALC: Amerika Latine në recesion të thellë ekonomik