PD: Nisma e qeverisë për qiratë, antikushtetuese

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Partia Demokratike e cilësoi antikushtetuese nismën e qeverisë për ndalimin e pagesës së qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës.

Në njoftimin për shtyp, PD thekson se kjo nismë mëton të ndajë shqiptarët dhe është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm.

Gjithashtu PD në deklaratë shprehet se “për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin”.

Sipas PD, shumica e qytetarëve mbahen nga këto qira dhe mospagesat e tyre do të ulin jo vetëm të ardhurat e tyre po do godasin dhe ekonominë.

“Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese. Ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit. Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërinë dhe numrin e të varfërve”, thuhet në deklaratë. /a.g/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.