Masat ndaj COVID-19/ Karçanaj: U dhanë 116 562 lejedalje nga portali e-Albania dhe 75 573 përmes sms-ve

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj bëri të ditur se janë dhënë sot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes sms-ve në numrin 55155.

Karçanaj u shpreh se ka patur vështirësi për shkak të numrit të madh të klikimeve, por ajo siguroi se  janë marrë masat dhe sistemi nuk do ketë më asnjë problem në aksesimin nga qytetarët.

“Për shkak të një fluksi të madh e të menjëhershëm klikimesh, e-albania hera-herës aksesohej me vështirësi. E pavarësisht kësaj, u dhanë plot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes sms-ve në numrin 55155.

Karçanaj theksoi se mbi 50 punonjës, pa pushuar asnjë sekondë të vetme, ndihmuan mijëra qytetarë të tjerë për përditësimin e të dhënave në llogaritë e tyre në e-Albania dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi procedurën e thjeshtë të aplikimit.

Dhjetëra inxhinierë, shtoi ajo, punuan pa reshtur këto dy ditë për perfeksionimin e infrastrukturës dhe tanimë me kënaqësi ju informoj se sistemi nuk do ketë më vështirësi në aksesim.

“Falenderoj secilin prej jush për mirëkuptimin dhe ju ftoj të hapni e-Albania për lejedaljet e nevojshme apo çdo shërbim tjetër”, shprehet Karçanaj.

Nga aplikimi për leje dalje që nisi sot zbatimin përjashtohen pensionistët dhe vetëm një person për familje mund të marrë leje./a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.