ROME, 24 mars /ATSH-ANSA/ – Të bashkuar do të rilindim ashtu si pas Luftës së Dytë Botërore, deklaroi sot presidenti italian, Sergio Mattarella.
”Ndodhemi në një moment shumë të vështirë për vendin”, tha presidenti italian, me rastin e 76-vjetorit të masakrës së ashtuquajtur ”Fosse Ardeatine”.
“Këtë vit, me keqardhje të madhe, nuk do të jetë e mundur të takohemi në mauzoleumin ‘Fosse Ardeatine’ për të dëgjuar, së bashku me familjet e tyre dhe me emocion emrat e të rënëve. Vlerat e respektit për jetën dhe solidaritetin të cilët na mbështesin në këtë periudhë, të shënuar nga një emergjencë e rëndë shëndetësore, forcojnë detyrën për të bërë homazhe për ata të vdekur të pafajshëm”, shtoi ai.
“Në fund të atyre viteve të tmerrshme, të shënuara nga diktatura dhe lufta, uniteti i popullit italian lejoi rilindjen morale, civile, ekonomike dhe sociale të kombit tonë. I njëjti unitet që kërkohet nga ne sot, në një kohë e vështirë për të gjithë vendin”, theksoi ai.
Masakra e Fosse Ardeatine ishte një vrasje masive e kryer në Romë më 24 mars 1944 nga trupat gjermane si shenjë hakmarrjeje për sulmin e trupave italiane kundër Regjimentit të Policisë gjermane ”SS Bozen”.
Trupat gjermane maskruan 335 qytetarë të pafajshëm italianë./ a.jor.























