Kurti: “Shumë herë ju kam thirrë t’dilni n’protesta. Tash është trimni t’qëndroni n’shpi”.
PRISHTINË, 15 mars /ATSH/ Qytetarët e Prishtinës i janë bashkuar thirrjes së autoriteteve mjekësore e shëndetësore për të mos dalë nga banesat e tyre, si masë paraprake për t’u ruajtur nga koronavirusi, tashmë që edhe në Kosovë janë konfirmuar 5 raste pozitive me COVID-19, e kjo ka bërë që sot sheshet e kryeqytetit të jenë pothuajse të zbrazëta.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që të mos dilet nga shtëpitë. “Shumë herë ju kam thirrë t’dilni n’protesta. Tash është trimni t’qëndroni n’shpi”, janë fjalët e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës.
Një numër i vogël i qytetarëve janë parë sot në sheshet kryesore të Prishtinës, njofton KosovaPress.
Ata kishin dalë kryesisht për t’u furnizuar me gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera.
Në rrugët e kryeqytetit ka gjithashtu një numër të vogël të veturave dhe nuk ka trafik siç ndodh rëndom. Edhe kafenetë dhe restorantet janë të mbyllura në përputhje me vendimet e qeverisë si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.
Një numër i qytetarëve vazhdojnë të presin në radhë për t’u furnizuar me mjete mbrojtëse në farmacitë e Prishtinës. Ata pas kamerave thanë për KosovaPress se ka mungesë të dorezave, maskave dhe dezinfektuesve për duart.
Marketet vazhdojnë të kenë numër të madh të blerësve, të cilët furnizohen me gjëra ushqimore. Disa qytetarë, po ashtu jashtë kamerave janë ankuar për mungesë mielli dhe shtrenjtim të artikujve elementarë për jetesë, pavarësisht se qeveria ka bërë thirrje që të mos ketë abuzim me çmimet.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdojnë apelet drejtuar qytetarëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi, si masë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Sot gjatë ditës është bërë e ditur se dje janë testuar 13 mostra tjera dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
/KosovaPress/














