Ballina Flash

COVID 19/ 3 rastet e sotme të dyshuara dolën negative, në Kosovë ende asnjë i prekur

PRISHTINË, 10 mars /ATSH/ Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë ende nuk ka asnjë rast me koronavirus.

Përmes një komunikate për mediet IKSHPK-ja informon se gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë ekzaminuar tre raste të dyshimta me koronavirus COVID-19.

“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv. Sot pasdite kanë ardhur edhe katër mostra, një nga klinika pediatrike dhe tri nga Klinika Infektive të cilat në Laboratorët e IKSHPK kanë hyrë menjëherë në punë dhe do t’ju informojmë me kohë sapo të përfundojë puna në laborator”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKërkuan azil në BE, riatdhesohen nga Franca dhe Gjermania 104 shtetas shqiptarë
Artikulli tjetërCOVID-19, Drejtoria e Transportit Rrugor: Evitoni lëvizjet, mjetet e transportit publik dhe sportelet