ZAGREB, 6 mars /ATSH-AFP/- Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, përshëndeti sot arritjen e armëpushimit ruso-turk në veriperëndim të Sirisë.
“Sigurisht që e mirëpres armëpushimin, është një lajm i mirë. Të paktën është një shenjë e vullnetit të mirë”, deklaroi Borrell para takimit me ministrat e Jashtëm europianë, në Zagreb.
“Tani le të shohim se si funksionon”, vazhdoi ai, duke bërë thirrje për maturi dhe ndihmë humanitare.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ranë dakord për një armëpushim në rajonin veriperëndimor të Sirisë, në Idlib, që hyri në fuqi dje në mesnatë.
Marrëveshja u njoftua pas rreth gjashtë orësh bisedime mes dy liderëve në Moskë.
“Së pari, do të aplikojmë sa më shpejt që të jetë e mundur armëpushimin dhe pastaj do të vazhdojmë me hapat e tjera për të cilat ramë dakord”, tha Erdogan për shtypin.
Ai paralajmëroi se Turqia të hakmerret ndaj çdo sulmi nga forcat e shtetit sirian.
Takimi u zhvillua në mes të shqetësimeve në rritje për një luftë të re mes Turqisë, e cila mbështet disa grupe rebele në Siri dhe Rusisë, mbështetësen kryesore ushtarake të shtetit sirian./ /ervo/ a.jor.























