TIRANË, 4 mars /ATSH/ – Ndikimi i gruas në politikë, vendimmarrja e tyre si dhe barazia gjinore ishin në qendër të trajnimit dyditor me temë, “Gratë në Politikë” të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit.
Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin gratë deputete të Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit, Aleanca e Grave Deputete, drejtuar nga kryetarja, Fatjona Dhimitri, si dhe nënkryetarja, Elona Gjebrea, Mimi Kodheli, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë, deputetja Eglantina Gjermeni, si dhe mjaft deputete të opozitës dhe Grupit të Pavarur.
Në këtë trajnim ishin të pranishme, Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Guusje Korthals Altes, Ndihmës Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Lucia Straley, si dhe përfaqësues të ambasadave etj.
Një nismë kjo e mbështetur edhe nga “Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje”, drejtuar nga Edlira Çepani, në bashkëpunim me NDI-në, mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, si dhe nga Instituti i Studimeve politike, drejtuar nga Afrim Krasniqi, mbështetur nga ambasada holandeze në Tiranë.
Gjatë këtij diskutimi u vlerësua ndikimi i gruas në politikë, vendimmarrja e tyre si dhe barazia gjinore e më së shumti u ndalën dhe në fuqizimin i profilit të lidershipit, grua. Lidershipi efektiv i bazuar mbi objektiva të qarta dhe mbi një profil të fortë lidershipi.
Ky sesion do të përfshijë kryerjen e vlerësimit personal, zhvillimin e një narrative të lidershipit në publik, rëndësinë e bio-s dhe ndërtimin e një profili, krijimin e një platforme, krijimin e zërit dhe mesazhit dallues tek gratë.
Lucia Straley, Zv. Shefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri vlerësoi kontributin dhe rëndësinë e grave në politikë si dhe inkurajoi pjesëmarrjen e tyre.
Gjithashtu në këtë trajnim ishte e pranishme dhe përshëndeti Guusje Korthals Altes, Ambasadore e Vendeve të Ulëta në Shqipëri.
Gratë deputete të krahëve të ndryshme politike, sollën shembuj të caktuara nga jeta e tyre politike, vështirësitë e hasura si dhe problemet e të qenurit grua në politikë, në një terren të vështirë maskilist.
Po ashtu në këtë trajnim ekspertja, Jen Krimm, solli nëpërmjet dokumentarëve, shembuj të grave politike në botë, kontributi i tyre lufta e egër e pashmangshme si dhe puna për të arritur në nivelet e larta të grave lider.
/gj.mima/























