Ballina Bota

Maskat veneciane ”Made in Albania”

SHKODËR, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Në një atelie në veri të Shqipërisë, artistët pikturojnë dhe dekorojnë me dorë dhjetëra mijëra maska veneciane, që pjesëmarrësit e festivaleve duan t’i mbajnë gjatë gjithë sezonit të karnavaleve në mbarë botën.

Çdo vit, atelieja ”Angoni” eksporton deri në 30 000 copë, të gjitha unike, nga më të thjeshtat deri tek ato më ekstravagantet.

Pasi kishte punuar fillimisht në Itali, Edmond Angoni, 64 vjeç, hapi në Shkodër më 1997-n ”Venice Art Mask”. Sot ai ka të punësuar rreth 50 persona.

”Rreth 70% e prodhimit shkon drejt tregut të Venecias, ku karanavalet tanimë janë drejt mbylljes për shkak të koronavirusit, dhe pjesa tjetër shitet në Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shpjegon ai.

Ndërmarrja disponon gjithashtu shtatë dyqane në Venecia, që i shërbejnë atij si vitrina për kineastët dhe producentët e teatrit që vijnë për të porositur.

Maskat janë shumë popullore në kohën e karnavaleve, por ndërmarrja punon gjatë gjithë vitit dhe disa prej tyre përdoren nga arti i shtatë.

Nicole Kidman dhe Tom Cruise, për shembull, mbanin maska Angoni në filmin ”Eyes Wide Shut” të Stanley Kubrick.

”Gjithçka është plotësisht e punuar me dorë”, thekson 36-vjeçarja Emanuela Pergjergji, një nga piktoret e ateliesë.

Maskat kushtojnë nga 20 euro deri në 1 500 euro, por sipas Angonit, ky është çmimi i cilësisë.

”Ne marrim parasysh anën artistike, i trajtojmë me pasion dhe dashuri si objekte arti”, thotë ai.

Nora Gjonaj punon në atelie prej 20 vitesh.

Maskat e saj të preferuara janë kafshët e të gjitha llojeve dhe pasi janë pikturuar dhe dekoruar, duken të mrekullueshme.

Atelieja përbëhet edhe nga një sallë ekspozite, ku vizitorët mund të admirojnë modelet e luksit të dekoruara me flori apo argjend, të zbukuruara me pendë, kristale Swarovski, perla.

Ekspozita konsiderohet një atraksion shtesë për turistët e huaj që vijnë të vizitojnë Shkodrën, “Venecian e Shqipërisë”, e famshme për liqenin dhe kalanë e saj.

Ivana Dedoviç erdhi nga Mali i Zi për të blerë dy maska, për veten dhe shoqen e saj, të cilat do t’i përdornin në një ballo që do të mbahej në vendin e tyre.

”E vështirë të zgjedhësh, janë të gjitha të bukura”, hidhet ajo gjithë gëzim./ /mig/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 27/02/2020
Artikulli tjetërPompeo i bën thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj mallrave serbe