KLGJ interviston kandidatët për Gjykatën e Lartë

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur procesin e intervistave në kuadër të procesit të përzgjedhjes së tyre për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, në tre pozicionet e lira në fushat e së drejtës administrative, civile dhe penale.

Kandidati i parë i intervistuar sot në mbledhjen e KLGJ-së ishte Sokol Sadushi.

Sadushi u shpreh se prej 33- vitesh është pjesë e sistemit të drejtësisë, si prokuror, avokat, jurist në administratë, anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe hartues ligjesh.

“33 vite pune në sistemin e drejtësisë, si prokuror, avokat, jurist në administratë, anëtar i gjykatës Kushtetuese, hartues ligjesh. Procesin e nisa për një motiv të fortë, të jap kontribut në fushën e së drejtës administrative”, tha ai.

Sadushi kërkoi që t’i jepet legjitimiteti Gjykatës së Lartë. “Legjitimitetin e kësaj gjykate e do opinioni publik. Gjykata e Lartë nuk ka një strategji. Unë dhe kolegët do hartojmë një strategji. Njësia e shërbimit ligjor mund të ndihmojë në uljen e fluksit të madh të dosjeve”, pohoi ai.

Ndërsa i dyti u intervistua, Ervin Pupe, i cili u shpreh se besimi i publikut tek drejtësia ka rënë ndjeshëm.

“Besimi i publikut tek drejtësia ka rënë ndjeshëm. Ashtu edhe tek Gjykatat e Larta. Jam etik, kam moral. Jam kritik me veten. Këto janë garancitë e kandidimit tim. Unë jam njeri i doktrinës. Unë e gjej veten në doktrinë. Kam një përvojë profesionale praktike. Kjo eksperiencë në këtë fokus puqet me profilin që ka marrë sot Gjykata e Lartë. Do vijë një kohë që doktrina do trajtohet përmes jurisprudencës”, tha ai.

“Situata me ndryshimet kushtetuese është fakt. Sistemi gjyqësor ka prodhuar vendime kontradiktorë, abuzivë. Problemi është se pas 2016 Gjykata e Lartë zvogëlonte mundësinë për gjykatat tjera që të bënte interpretimin ndryshe. Fakti që ka shumë është nuk është vetëm në Gjykatën e Lartë. Çështje shumë ka edhe gjykata e Strasburgut, Në gjykatën e Lartë mund të krijohet një seksion që mund të analizojë një grup çështjesh. Nëse çështjet grupohen, Gjykata e Lartë mund të japë vendime pilot. Duhet të ketë raste të tilla. Kjo është një punë që mund të bëhet edhe me ndihmën e KLGJ-së. Ky grup që do ndihmojë në selektimin e këtyre dosjeve mund të jetë edhe i përkohshëm. Ti nuk mund të pengosh aksesin në Gjykatë. Unë kam bindjen që shumë rekurse janë abuzivë. Mundet që në këtë pikë gjykata të jetë më aktive”, u shpreh Pupe.

Ilir Panda kandidati për në Gjykatën e Lartë në profilin penal është vendosur para KLGJ-së për të dhënë intervistën, i treti.

“Karriera ime ka filluar në hetimin e veprave penale dhe pastaj në Ministri të Drejtësisë në administratë publike. Gjatë gjithë kësaj kohe aktiviteti im është shoqëruar në disa punë shkencore dhe aktualisht vij nga jeta universitare, në një universitet privat. Mendoj se eksperiencat që kam në fusha të ndryshme ku kam punuar, do jenë ndihmuese edhe në aktivitetit gjyqësor. Kandidoj pasi është më afër interesit publik dhe lidhet ngushtë me të drejtat e njeriut. Objektivat janë të përgjithshme dhe të përveçme, vlerat, standardet dhe rregullat e etikës profesionale”, tha Panda.

“Gjykata e Lartë ka eksperiencë të mëparshme të sigurt për punën për të çuar më para punën për zhvillimin e aktivitetit gjyqësor. Objektiv për një gjyqtar të Supremes është ajo problematikë të shumë dosjeve të mbledhura në Gjykatë të Lartë. Me profesionalizëm puna duhet të filloj, ndërsa rrugët për t’i zgjidhur duhet të shikohen. Në objektiv janë edhe marrëdhëniet me Këshillin e Lartë Gjyqësor, në marrëdhënie profesionale e institucionale”, shtoi ai.

“Eksperienca në mësimdhënie, puna në Ministrinë e Drejtësisë, puna në grup e më gjerë. Element janë disa veprimtari që janë pjesëmarrja në bordin e akreditimit të arsimit të lartë, dhe pjesëmarrja si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, u shpreh Panda.

“Roli i parë i Gjykatës së Lartë është roli që i jep Kushtetuta, si dhe roli që i jep praktikës gjyqësore. Duhet të jetë bindëse dhe detyruese për gjykatat më të ulëta dhe për vetë palët në procese. Mendoj që përmes veprimtarisë së saj të bind palët pjesëmarrëse, që për të shkuar atje, t’u mbushet mendja anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që çështjet kanë rëndësi të madhe”, tha Panda.

“Njeriu gjithë jetën ka plot dilema, ndërsa unë prirem të mos e lë veten deri aty, por nuk i kam shpëtuar. Kam pasur disa dhe një ndër to ishte zgjedhja midis sektorit publik dhe atij privat. Zgjidhja që bëra ishte e suksesshme. Dilemë tjetër ka qenë të qëndruarit jashtë apo në Shqipëri. Duke qenë para jush besoj se e tregon”, tha Panda.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të dërgojë në Presidencë emrat e gjyqtarëve të rinj për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.