Programi i Rindërtimit/ Oponencë e të gjithë procesit, ekspertiza ndërkombëtare dhe vetë donatorët

TIRANË, 18 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive deklaroi se, donatorët japin grante apo kredi vetëm nëse shohin garanci dhe projekt serioz.

“Nuk është e vërtetë që nuk do të dilnim dot këtu, apo unë s’do shkoja të pija dot kafe nëse s’do kishim marrë 400 milionë, apo 300 milionë. Ne kemi bërë punë me laps, jo me vesh, dhe nëse e vutë re, unë u ndjeva shumë krenar për prezantimet që u bënë aty. Prezantimi i Milva Ekonomit dhe prezantimi i Ministrit për Rindërtimin ishin prezantime që ishin nga fillimi, deri në fund prezantime që mund t’i kishin bërë apo mund t’i bëjnë përfaqësues të qeverive të Francës apo Gjermanisë, nga pikëpamja e gjithë strukturës që u raportua, e shpjegimeve, gjë që ndikoi edhe ajo tek kredibiliteti i kërkesës sonë”, – tha Rama.

“Ne kemi bërë kalkulime. Pra ne kemi bërë një plan rindërtimi, nga zero zemërgjerësia e botës deri tek një plan optimist. 1.1 miliardshin nuk e kemi pasur as në planin më optimist. 1.1 miliardshi ka ardhur nga rezultati i shumë përpjekjeve ekstra, që nuk mund të shkruhen nëpër plane. Ne do të ktheheshim nga Brukseli duke marrë frymë lirisht nëse do merrnim 80 milionë euro grant dhe 300 milionë euro kredi, nga këto lloj kredish. Skenari i frymëmarrjes së lehtë ishte ky. Skenari që do ktheheshim me një lloj shqetësimi, por gjithmonë dhe atë të adresuar ishte ky. Pastaj skenari ynë optimist ishte 600. Nëse ne do të shkonim në 130 grante dhe pjesa tjetër, deri tek 600 nga këto lloj kredish, ishte sukses. Kjo ishte përtej suksesit”, – u shpreh Rama.

I pyetur nëse e ka idenë pse ndodhi, Rama tha se, “do ta shkruaj në libër, por jo kur të jem kryeministër”.

Rama theksoi se, “prezantimi i Ministrit të Rindërtimit s’ishte prezantim i qeverisë për audiencë, por një tërësi instrumentesh, të cilat ishin konsoliduar më parë si qëndrim me përfaqësuesit e donatorëve. Ata nuk vijnë në konferencë me idenë apo me dhimbjen se çfarë ndodhi dhe nuk i japin fondet, jo grantet, por nuk japin asnjë qindarkë kredi thjesht duke treguar historinë e dhimbjes. Ata kanë nevojë për garanci. Ato duan të dinë kush janë instrumentet financiarë, të absorbimit dhe administrimit të fondeve”.

“Ne nuk do ta administrojmë, jo këtë pjesë, por asnjë qindarkë, edhe qindarkat e qeverisë shqiptare, e taksapaguesve shqiptarë, apo të vendeve të tjera nuk do t’i administrojmë në një rreth të mbyllur të zakonshëm të një qeverie. Kemi ndërtuar një mekanizëm për transparencën, dhe mbi të gjitha një mekanizëm për ecurinë e zbatimit. Komiteti ynë shtetëror i Rindërtimit do të ketë në përbërje dhe përfaqësues të donatorëve dhe mekanizmat e zbatimit, janë mekanizma me pjesëmarrje të donatorëve. Nuk të jep njeri lekë dhe të thotë ‘merr këto lekë tani dhe kur të kesh për kredinë’. Opozita është e zënë në punë të tjera. Oponencë të gjithë procesit do të kemi ekspertizën më të mirë ndërkombëtare dhe do kemi ata që kanë dhënë vetë paratë”, theksoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.