Ballina Bota

MYNIH – Takim i liderëve botërorë për armëpushimin në Libi

MYNIH, 16 shkurt /ATSH-AA/ – Ministrat e jashtëm dhe diplomatët e lartë nga e gjithë bota u mblodhën sot në Mynih për të diskutuar për zbatimin e armëpushimit në Libi dhe embargon e armëve.

Në këtë takim merr pjesë edhe ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, së bashku me ministrat e jashtëm të Francës, Italisë dhe disa vendeve nga rajoni, me ftesë të kryediplomatit gjerman, Heiko Maas.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, Kina dhe SHBA, kanë dërguar diplomatët e lartë në Mynih për takimin.

Mbledhja njëditore është takimi i parë i komitetit pasues brenda procesit të Berlinit, të iniciatiavës së OKB-së dhe Gjermanisë, që kërkon unitet midis aktorëve ndërkombëtarë për të mbështetur përpjekjet për një zgjidhje politike dhe armëpushim në Libi.

Udhëheqësit botërorë dhe aktorët rajonalë u zotuan të mbështesin embargon aktuale dhe armëpushimin në Libi gjatë Konferencës së Berlinit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel më 19 janar.

Shtetet pjesëmarrëse ranë dakord të krijojnë një komitet vijues për të diskutuar mekanizmat e monitorimit dhe për zbatimin e konkluzioneve të Konferencës së Berlinit.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri, njëra e lidhur me komandantin ushtarak, Khalifa Haftar në lindje të Libisë, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, e cila gëzon njohjen e ndërkombëtare dhe të OKB-së.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i kaluar, me çka më shumë se 1.000 njerëz kanë humbur jetën./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës/ Finalizohet operacioni “Trajektorja”, ndalohet 27-vjeçari i dënuar me 7 vite burg në Itali dhe bashkëpunëtorja e tij
Artikulli tjetër105 milionë euro në mbështetje të turizmit/ Klosi: Rrisim nivelin e shërbimeve dhe punësimin