BRUKSEL, 13 shkurt /ATSH-AFP/ – Ministrat europianë të Shëndetësisë u takuan sot në Bruksel për të koordinuar masat e tyre përballë epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, me ambicien për të folur njëzëri.
COVID-19, që ka prekur më shumë se 60 mijë persona dhe ka shkaktuar të paktën 1 300 të vdekur në Kinë, ku edhe u shfaq në dhjetor, ka prekur rreth 30 persona në shtatë vende të BE-së, ku nuk ka shkaktuar viktima, tani për tani.
Në përgjigje të epidemisë, vendet e BE-së kanë ndërmarrë secili masat e veta, në lidhje me karantinat, kontrollet e pasagjerëve, këshillat për udhëtarët.
“Viruset nuk njohin kufij dhe është koha që BE t’i përgjigjet kësaj sfide në një mënyrë të koordinuar dhe të bashkuar”, tha eurokomisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides.
Sipas një projektkonkluzioni, në një hapësirë ku lëvizja e lirë e njerëzve është rregull, 27 vendet anëtare e konsiderojnë të domosdoshme forcimin e koordinimit tashmë ekzistues, në mënyrë që të përmirësojnë efikasitetin e masave kombëtare./ /ervo/ a.jor.























