Ballina Aktualitet

Kryemadhi takon ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim

TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u takua sot me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Kryemadhi shprehet se në takimin me ambasadoren Yuri Kim, si përfaqësuesja e aleatit tonë strategjik SHBA, pati kënaqësinë t’i urojë një mandat të suksesshëm në Shqipëri.

“Shpreha mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik, si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim. Vlerësoj në mënyrë të veçantë theksin në prioritetet e bashkëpunimit ekonomik të cilat janë domosdoshmëri që vendi t’i kthehet një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të ofrojë punësim, veçanërisht për rininë”, – tha ajo.

“Vlerësova gjithashtu mbështetjen e pakufizuar që SHBA jep për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përkrahjen e vazhdueshme për realizimin e reformave që kërkon axhenda jonë e integrimit”, u shpreh Kryemadhi.

“Ndamë bindjen e përbashkët që përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore sipas standardeve të OSBE/ODIHR është i një rëndësie prioritare. Vlerësova partneritetin strategjik me SHBA për forcimin e paqes, të zhvillimit dhe të integrimit të rajonit tonë”, – tha ajo. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMANILA – Filipinet ndërpresin paktin 21-vjeçar të mbrojtjes me SHBA-në
Artikulli tjetërMeta-Kurtit: Qeveria juaj i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajon