Dhoma Amerikane e Tregtisë: Shqipëria, potencial të jashtëzakonshëm për të tërhequr investitorët e huaj

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Pas ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila sapo ka nisur punën në vendin tonë, ishte Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë, e cila mori angazhimin për të nxitur investimet amerikane.

Shqipëria, tha sot presidenti i AmCham Enio Jaço, ka një potencial të jashtëzakonshëm për të tërhequr investitorë të huaj.

Jaço në një konference për shtyp që mbajti sot në Tiranë, renditi faktorët që e bëjnë Shqipërinë një vend tërheqës për investime, por edhe elementët që duhet të përmirësohen.

“Nevojiten reforma të thella në klimën e investimeve në mënyrë që të jemi më konkurrentë, pasi ka një potencial të jashtëzakonshëm. Jemi optimistë se Shqipëria ka mundësi për të tërhequr investitorë të huaj. Pozicioni i saj gjeopolitik, jemi një vend i NATO-s, që do të thotë se ofrojmë siguri. Për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Mesdhe, ka akses në porte të ndryshme, që përbëjnë kanale të ndryshme të tregtisë. Ka një popullsi vibrante e të aftë, fuqi të re punëtore që e bëjnë konkurruese në rajon”, theksoi ai.

Këto, sipas Jaços përbëjnë kushte unike që e bëjnë Shqipërinë lider në rajon. Ai theksoi se Shqipëria është një nga vendet më konkurrente në rajon për hapjen e një biznesi të ri.

Por për presidentin e AmCham-it, niveli i taksave, ndryshimi i shpeshtë i tyre, si dhe zbatimi i kontratave janë ndër problematikat që qeveria duhet t’i adresojë.

Shqipëria tha ai, është një treg i vogël, tipar i njëjtë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po integrohet në Bashkimin Europian. “Tregu i këtij rajoni po liberalizohet, po bëhet më transparent. Investitorët e mëdhenj do të studiojnë secilin treg, për të parë se ku do të vendosin investimet e tyre kryesore. Çështja këtu shtrohet se si performon Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit”, tha Jaço.

Nga ana tjetër, Jaço vlerësoi se krijimi i Shengenit ballkanik do të shihej me interes nga investitorët e mëdhenj.

“Vendet e rajonit e kanë mbështetur Minishengenin. Nëse unifikohet në lidhje me tregtinë e kushtet krijon një premisë më të lartë për investitorët e mëdhenj, pasi ata nuk shikojnë vetëm Shqipërinë, por të gjithë rajonin”, theksoi Jaço.

Jaço vuri po ashtu në dukje se tërmeti ka dhënë pasoja negative në ecurinë e biznesit përgjatë 3-mujorit të katërt të 2019-s, si dhe këtë tremujor të parë të 2020.

“Dëgjojmë nga anëtarët në terren se kanë patur pasoja nga tërmeti, si të ardhura më të ulëta. Gjatë 3-mujorit të parë do të kemi impakt me shpenzimet e konsumatorit”, tha Jaço.

Sipas tij, gjatë 2020-s këto presione me karakter negativ në ekonomi duhet të balacohen me presione të tjera. Investime të reja janë forca të mira balancuese, tha ai.

Për sa i përket futjes së gazit të lëngshëm natyror në vendin tonë, presidenti i AmCham, Jaços theksoi se shikojmë oportunitete për investime në Shqipëri. Sipas tij, është bërë një punë e gjatë për përmirësimin e kushteve në sektorin e energjisë për investimet e huaja.

Shqipëria me SHBA ka një bilanc tregtar 100 milionë dollarë, që për presidentin e  AmCham është një nivel shumë i ulët krahasimisht me potencialet.

Përveç sherbelës, Jaço tha se Shqipëria mund të tregtojë në SHBA edhe veshmbathje. Industria e lehtë, tha ai, ka filluar të jetë konkurrente në SHBA.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.